Bota

Vëllezërit Tate largohen nga Rumania, udhëtojnë me aeroplan privat në SHBA!

Influencerët britaniko-amerikanë Andrew dhe Tristan Tate, të cilët po përballen me gjyqin në Rumani me akuzat për përdhunim, trafikim të të miturve dhe pastrim parash janë larguar nga vendi pasi prokurorët hoqën një ndalesë udhëtimi 2-vjeçare. Andrew Tate, 38 vjeç dhe vëllai i tij Tristan, 36 vjeç, u larguan nga Bukureshti me një aeroplan privat. Të dy i kanë mohuar akuzat me të cilat janë duke u përballur. Prokurorët rumunë theksuan se çështja kundër tyre nuk ishte pushuar dhe se ata do të pritej të ktheheshin, dikur në fund të muajit të ardhshëm. Megjithatë, vendimi i tyre ka ngritur shqetësimin se ata u vunë nën presion nga figurat kryesore në administratën e presidentit Donald Trump, ku një politikane rumune tha se ajo ishte e indinjuar.

Vëllezërit po përballen me akuza të tjera në Britani, të cilat nuk kanë lidhje me ato në Rumani, të cilat po ashtu i mohojnë. Një çështje e veçantë civile është hapur në SHBA. Sipas raportimeve rumune vëllezërit Tate janë nisur për në Fort Lauderdale në Florida me një fluturim pa ndalesë që do të zgjaste 12 orë, megjithatë avokati i tyre në Bukuresht mohoi për BBC se ishte destinacioni i tyre.

Andrew Tate, 37 vjeç, dhe vëllai i tij, Tristan 36 vjeç, që të dy ish kikbokserë me shtetësi britanike dhe amerikane, kanë miliona ndjekës në rrjetet sociale. Më 2022, ata u arrestuan afër Bukureshtit së bashku me dy gra rumune. Vitin e kaluar, autoritetet ngritën zyrtarisht akuza ndaj tyre, të cilat, vëllezërit Tate i kanë mohuar. Andrew Tate njihet për shprehjen e pikëpamjeve mizogjeniste në internet dhe ka 9.9 milionë ndjekës në platformën X. Ai vazhdimisht ka pretenduar se prokurorët nuk kanë prova kundër tij dhe ndaj tij po zhvillohet një komplot politik që ai të hesht. Paraprakisht, ai ishte ndaluar në disa platforma të rrjeteve sociale për shkak të pikëpamjeve mizogjeniste dhe për shkak të gjuhës së urrejtjes. Pasi vëllezërit Tate ishin arrestuar më 2022, ata u mbajtën në paraburgim për tre muaj dhe më pas u dërguan në arrest shtëpiak.