Influencuesi kontrovers Andrew Tate nuk do të ndiqet penalisht në Mbretërinë e Bashkuar për akuzat e ngritura nga katër gra, të cilat kanë hapur një proces civil kundër tij në Gjykatën e Lartë të Londrës.
Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës deklaroi se nuk ishin përmbushur kriteret ligjore për një ndjekje penale, raporton “The Guardian”. Gratë e akuzojnë Tate për sulm seksual, duke përfshirë raste të dhunës fizike dhe kërcënime me armë.
Avokatët e Tate i kanë mohuar kategorikisht akuzat dhe e kanë mirëpritur vendimin. Tre prej grave e kishin raportuar atë në Policinë e Hertfordshire në vitin 2019, por hetimi u mbyll pa veprime të mëtejshme.
Megjithatë, Tate nuk i ka shpëtuar drejtësisë në raste të tjera. Ai dhe vëllai i tij Tristan janë nën hetim nga Policia e Bedfordshire, e cila ka ngritur 21 akuza kundër tyre.
Andrew Tate përballet me 10 akuza, mes tyre përdhunim, trafikim njerëzish dhe shfrytëzim prostitucioni për përfitime financiare, ndërsa Tristan me 11 akuza të ngjashme.
Një urdhër arresti evropian u lëshua në vitin 2024, por ekstradimi i tyre u shty deri në përfundimin e procesit të ndarë gjyqësor që po zhvillohet kundër tyre në Rumani.