Duke filluar nga nesër, sistemi evropian i kontrollit kufitar do t’i nënshtrohet një rishikimi të plotë. Me hyrjen në fuqi të Sistemit të Hyrje-Daljes (EES), Bashkimi Evropian po i thotë lamtumirë vulave të pasaportave e po mirëpret kontrollet biometrike.
Në Itali, aeroportet e Milanos dhe Romës do të jenë të parët në vendin fqinj që pritet të pilotojnë procedurat e reja dixhitale, të cilat përfshijnë marrjen e gjurmëve të gishtërinjve e skanimin e fytyrës për udhëtarët nga vendet jo-anëtare të BE-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Testimi do të shtrihet edhe në portet e Civitavecchia-s e Genoa-s, përpara se të bëhet funksional në të gjithë rrjetin kombëtar. Duke filluar nga 20 tetori, kontrollet e reja biometrike do të kryhen në afërsisht 10% të pasagjerëve që mbërrijnë ose nisen nga kufijtë e jashtëm e gradualisht do të zgjerohen për të mbuluar të gjithë udhëtarët deri në prill 2026, siç përcaktohet nga Rregullorja (BE) 2025/1534.
I menaxhuar nga Policia Kufitare, sistemi i ri do të zëvendësojë vulën manuale të pasaportave me një regjistrim elektronik që përfshin të dhëna biometrike dhe informacione personale. Qëllimi është të monitorohen flukset e hyrjeve e daljeve të qytetarëve jo të BE-së e që qëndrojnë për periudha të shkurtra, deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Procesi do të menaxhohet nga baza qendrore e të dhënave eu-LISA, me seli në Talin të Estonisë, duke mbledhur të dhëna nga 25 vende të Shengenit dhe katër shtete të asociuara si Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia e Zvicra. Kjo për të përmirësuar sigurinë dhe për të luftuar emigracionin e parregullt.
Me mbërritjen, qytetarët jo-BE do të duhet të skanojnë pasaportën e tyre, të japin gjurmët e gishtërinjve dhe një fotografi.
Në disa aeroporte do të jetë e mundur të kryhet një pjesë e procesit nëpërmjet sporteleve të vetëshërbimit ose aplikacioneve të dedikuara. Fëmijët nën 12 vjeç përjashtohen nga marrja e gjurmëve të gishtërinjve.
Pas regjistrimit fillestar, hyrja pasuese do të jetë më e shpejtë: sistemet do të krahasojnë automatikisht të dhënat që janë tashmë në bazën e të dhënave. Mbajtësit e pasaportave elektronike do të jenë në gjendje të përdorin pikat automatike të kontrollit të shënuara me simbolin e kamerës së artë. Megjithatë, priten kohë më të gjata pritjeje në javët e para, veçanërisht në aeroportet kryesore.