Kombet kryesore myslimane e kanë mbështetur planin e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, edhe pse disa palestinezë e quajtën propozimin “farsë”. Aleatët europianë të Uashingtonit i bënë thirrje Hamasit, ta pranojë propozimin e Shteteve të Bashkuara.
Pas bisedimeve të djeshme mes Trump-it dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu në Uashington, Shtëpia e Bardhë publikoi një plan me 20 pika për Gazën. Dokumenti parashikon armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palestinezë të Izraelit, tërheqjen izraelite nga Gaza në faza, çarmatosjen e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzicioni të drejtuar nga një organizëm ndërkombëtar.
Në një deklaratë të përbashkët, 8 shtete arabe ose me shumicë myslimane thanë se e “përshëndesin rolin e presidentit amerikan dhe përpjekjet e tij të sinqerta që synojnë t’i japin fund luftës në Gazë”.
Konfirmojmë gatishmërinë për t’u angazhuar pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive me Shtetet e Bashkuara dhe palët e tjera drejt finalizimit të marrëveshjes e sigurimit të zbatimit të saj.
Vendet përfshijnë Egjiptin, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Turqinë. Të gjitha këto vende e njohin Izraelin, megjithëse disa kanë marrëdhënie të trazuara. Deklaratën e firmosi edhe Katari, i cili ka luajtur rol të rëndësishëm ndërmjetësues, si edhe Arabia Saudite.
Indonezia e Pakistani, dy vendet më të populluara me shumicë myslimane në botë, iu bashkuan po ashtu deklaratës. Indonezia ka ofruar trupa si pjesë e një force të ardhshme në Gaza ndërsa Pakistani është përpjekur të afrohet me Trumpin dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Uashingtonin.
Autoriteti Palestinez, të cilin Netanyahu është përpjekur ta lërë mënjanë, gjithashtu nxitoi të ofrojë mbështetje, duke përshëndetur “përpjekjet e sinqerta e të vendosura” të Trumpit. Hamasi u shpreh se do ta vlerësojë planin e Trumpit, para se të japë përgjigje.
Por, Xhihadi Islamik, një grup i armatosur palestinez që lufton krah Hamasit në Gazë, e quajti planin “një recetë për agresion të vazhdueshëm kundër popullit palestinez”.
Banorët e Gazës së shkatërruar nga lufta shprehën skepticizëm për planin, duke e hedhur poshtë si mashtrim për lirimin e pengjeve që nuk do t’i japë fund luftës.
Ne si popull nuk do ta pranojmë këtë maskaradë, u shpreh Abu Mazen Nassar, 52 vjeç.