Bota

Erdogan përshëndet përpjekjet e Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Gazë!

Presidenti turk Erdogan vlerëson “përpjekjet dhe lidershipin” e Donald Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Kjo pasi presidenti amerikan siguroi mbështetjen e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, mbi propozimin e Uashingtonit për paqe.

Unë përshëndes përpjekjet dhe lidershipin e presidentit amerikan Donald Trump, që synojnë ndalimin e gjakderdhjes në Gaza dhe arritjen e një armëpushimi, vuri në dukje Erdogan, i cili javën e kaluar u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë pas gjashtë vjetësh. Turqia do të vazhdojë të kontribuojë në këtë proces, me synimin për të vendosur paqe të drejtë, të qëndrueshme e të pranueshme për të gjitha palët, shkroi Erdogan në X.

Turqia ka qenë një nga vendet kritike më të zëshme të luftës dyvjeçare të Izraelit në Gaza, të cilën e quan “gjenocid”. Shteti turk ka pezulluar të gjithë tregtinë me Izraelin, si edhe ka kërkuar veprime ndërkombëtare kundër Netanyahut e qeverisë së tij, duke bërë thirrje të përsëritura për një zgjidhje me dy shtete.

Pas bisedimeve mes Trumpit dhe Netanyahut në Uashington, Shtëpia e Bardhë publikoi një plan me 20 pika për Gazën. Ai përmban armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të pengjeve që mbahen nga Hamasi me të burgosur palestinezë të Izraelit, tërheqjen izraelite nga Gaza në faza, çarmatosjen e Hamasit dhe krijimin e një qeverie tranzicioni të drejtuar nga një organizëm ndërkombëtar.

I dërguari special i SHBA-ve, Steve Uitkoff është optimist për realizimin e planit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Gazë duke përmendur edhe mbështetjen e gjerë ndërkombëtare për marrëveshjen. Ende ka detaje për t’u zgjidhur, por palët e interesuara që nuk pajtohen, gjenden nën presionin e presidentit Trump.

Në pothuajse dy vite luftë në Gaza, ofensiva izraelite ka vrarë mbi 65 mijë palestinezë, referuar autoriteteve shëndetësore atje, duke shkaktuar uri ekstreme. Po ashtu ka shkatërruar pjesën më të madhe të ndërtesave, si dhe ka zhvendosur pjesën më të madhe të popullsisë, në shumë raste disa herë.

Lufta nisi pas sulmit të udhëhequr nga radikalët e Hamasit në jug të Izraelit, aty ku militantët vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, referuar deklaratave të zyrtarëve izraelitë.