Sezoni i favorshëm me klimë të ngrohtë dhe rritja e kërkesës për lakër shqiptare nga vendet e Lindjes dhe ato baltike ndikuan pozitivisht eksportet e zarzavateve në sasi në dymujorin e parë të 2025-ës. Të dhënat zyrtare të INSTAT-it tregojnë se shitjet e sasive të zarzavateve jashtë vendit shënuan rritje vjetore me 71% në janar-shkurt 2025, por në të njëjtën periudhë, eksportet e frutave pësuan rënie vjetore me 48%.
Këtë vit, klima ka favorizuar rendimentin e perimeve dhe zarzavateve të dimrit në fushë. Janë rritur shumë eksportet e lakrës përtej Rajonit, sidomos në vendet e Lindjes dhe ato baltike, Bullgari, Poloni, Ukrainë, Moldavi, Letoni, Lituani, Estoni, etj.
Lakra është baza e kulinarisë në kuzhinën e vendeve të Europës Lindore, por prodhimi i brendshëm aty nuk ka qenë optimal, duke ndikuar në rritjen e kërkesës në vende të tjera. Shqipëria ishte favorite. Ndryshimi i klimës po i nxjerr gjithnjë e më herët prodhimet në treg, duke i bërë konkurruese si në çmime, ashtu dhe në kërkesë.
Fermerët po përshtaten shpejt me kërkesën e re. Për më tepër, kultivimi i lakrës nuk kërkon investim me serra, pasi ajo rritet gjatë dimrit edhe në fushë. Shqipëria po eksporton dy lloje lakrash, për sallatë dhe lakër kokë që përdoret për gatime të ndryshme.
Lakra me kokë po eksportohet në Serbi, Kroaci, Austri dhe Bosnjë, ndërsa lakra për sallatë po shkon në vendet baltike si Letonia, Estonia dhe Lituania. Sasi të konsiderueshme po shkojnë edhe në Moldavi, Ukrainë, Poloni, Bullgari. Gjithashtu, Shqipëria është eksportuese e madhe e perimeve dhe zarzavateve në Rajon, ku dominojnë domatet e kastravecët e serrave.
Sasia më e madhe zarzavateve në shkurt u eksportua në Serbi, me rritje vjetore me 86% në shkurt, e dyta vjen Bosnja me 1600 tonë eksporte në shkurt, me rritje vjetore 23%, e treta Kosova me 1500 tonë eksporte, me rritje 35%. Rritja e sasive të eksportit në shkurt ishte veçanërisht e fortë për Bullgarinë dhe Poloninë me 95 dhe 144% secila.
Lushnja, Divjaka, Fieri, Vlora dhe Shkodra ishin prodhuesit më të mëdhenj të lakrës këtë sezon, ndërkohë që më shumë fermerë po zgjerojnë sipërfaqet e mbjella./Monitor