Bota

Francë, hyn në fuqi ndalimi i duhanit në plazhe e të tjera vende publike!

Franca ndalon pirjen e duhanit në plazhe, parqe, stacione autobusësh, e të tjera zona publike. Masa hyri në fuqi ditën e sotme.

Dekreti i publikuar dje në Fletoren Zyrtare, nuk lejon konsumin e cigareve edhe jashtë bibliotekave, shkollave, pishinave, e synon mbrojtjen e fëmijëve nga duhanpirja pasive.

Në dekret nuk janë përmendur cigaret elektronike ndërsa ata që shkelin ndalesën do të përballen me gjobë 135 euro.

Duhani duhet të zhduket nga vendet ku ka fëmijë, vuri në dukje ministrja për Shëndetin dhe Familjen, Catherine Vautrin duke folur muajin e kaluar, teksa përmendi “të drejtën e tyre për të thithur ajër të pastër”.

Hapësirat jashtë kafeneve janë përjashtuar nga ndalesa e vendosur në Francë. Sipas autoriteteve franceze, çdo vit në këtë shtet vdesin 75 mijë njerëz si pasojë e problemeve shëndetësore të lidhura me duhanin.

Referuar një ankete të realizuar së fundmi, gjashtë në dhjetë francezë, 62%, janë për ndalimin e pirjes së duhanit në mjedise publike.