Bota

Venezuela-Amerikës: Të ulim tensionet!

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro i bëri thirrje qeverisë amerikane që të ulë tensionet, si dhe paralajmëroi në lidhje me rrezikun e një konflikti ushtarak në shkallë të gjerë.

Asnjë nga dallimet që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi nuk duhet të çojë në një konflikt ushtarak në shkallë të gjerë dhe dhunë në Amerikën e Jugut, vuri në dukje Maduro në një video të postuar në Telegram.

Presidenti venezuelian i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të braktisin atë që e quajti “plani i tyre për ndryshim të dhunshëm të regjimit në Venezuelë e në të gjithë Amerikën Latine”, si dhe i kërkoi Uashingtonit të respektojë sovranitetin e vendit.

Maduro deklaroi edhe se mbi 5 mijë e 300 njësi të milicisë komunale ishin aktivizuar për t’u mbrojtur kundër përpjekjeve të mundshme për “ndryshim të regjimit” të mbështetur nga Amerika.

Askush nuk do të vijë të na skllavërojë ose kolonizojë, as sot dhe as kurrë.

Konflikti midis Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është intensifikuar kohët e fundit. Sipas raportimeve të mediave, Amerika ka dislokuar disa anije luftarake pranë brigjeve të Venezuelës, në javët e fundit. Referuar këtyre njoftimeve, Uashingtoni tha se dislokimi ishte i nevojshëm për të kapur trafikantët e drogës.

Disa ditë më parë, Amerika pretendoi se qëlloi një anije të dyshuar për trafik droge nga Venezuela në Karaibe, duke vrarë 11 të dyshuar. Sipas presidentit Donald Trump, sulmi ishte drejtuar kundër bandës venezueliane të drogës “Tren de Aragua”, të cilën qeveria amerikane e klasifikon si “organizatë terroriste të huaj”.

Si rezultat i kësaj, dy avionë ushtarakë nga Venezuela fluturuan pranë një anijeje të Marinës Amerikane në ujërat ndërkombëtare, bëri të ditur Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Shtetet e Bashkuara e quajtën një “veprim jashtëzakonisht provokues” dhe paralajmëruan Venezuelën për rrezikun e përpjekjeve të mëtejshme për të penguar operacionet e tyre kundër narkoterrorizmit.