Aktualitet Politikë

“Vetting” amerikan për bizneset/ Opozita e sheh si propagandë nismën e qeverisë!

Opozita e sheh “të vonuar” dhe “propagandë” nismën e qeverisë, që parashikon vendosjen e filtrave mbrojtëse ndaj investimeve të huaja. Në një intervistë për Top Channel, deputetja demokrate Jorida Tabaku vlerëson se Shqipëria ka nevojë për një kornizë ligjore të fortë, transparente e në përputhje të plotë me standardet e amerikane dhe europiane.

Qeveria i lë komplet jashtë interesit, infrastrukturën, energjinë dhe të dhënat sensitive. Detyrimi për të bërë një analizë të investimeve të huaja është pjesë e procesit të integrimit. Qeveria shqiptare thotë se do të fillojë me median e në momentin që ne bëhemi vend anëtar i BE-së, do të fillojmë me të gjithë sektorët e tjerë. Në rastin e Shqipërisë, interesi më i madh i partnerëve strategjikë, si europianë ashtu edhe amerikanë, lidhet me fushat kritike, shprehet Jorida Tabaku.

Projekti parashikon që vetting-u i investimeve të huaja t’i lihet në dorë një komiteti ndërministror, por për Tabakun, ky mekanizëm nuk garanton kontroll të balancuar, nëse nuk përfshin Parlamentin.

Të ngrihet një grup në Parlament, ndërmjet Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese dhe Komisionit të Ekonomisë, i cili do të krijonte një “check and balance”. Qeveria është provuar se ka qenë e paaftë për ta kryer këtë funksion dhe së dyti, të dhënat personale të shqiptarëve e me rastin e fundit të AKSHI-t, të dhënat e biznesit, të gjendjes civile e të dosjeve hetimore janë përdorur edhe për qëllime kriminale e presioni.

Imagjinoni çfarë mund të ndodhë nesër me projektin e Smart City (kamerat inteligjente), nëse të gjitha këto të dhëna do të jenë të disponueshme nga palë të treta, që mund të përdoren e të cënojnë edhe sigurinë kombëtare.

Për Jorida Tabakun, nëse qeveria e ka seriozisht dhe nuk po bën një nismë sa për të kaluar radhën, duhet të bëjë publike analizën e investimeve të huaja, duke bërë transparencë, ndërsa kërkon që në sektorët ku ka monopole dhe nuk ka asnjë ofertues tjetër, filtrat të jenë të fortë, në mënyrë që të analizohet prejardhja e tyre./Top Channel