Rajoni

Vijojnë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot që deputetët të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarët, që ta konstituojnë përfundimisht. Lëvizja Vetëvendosje pritet ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare, por nuk është e qartë nëse i ka votat e nevojshme.

Haxhiu dështoi të emërohej në tri përpjekjet e kaluara, se çdo herë mori vetëm 57 nga 61 votat e duhura. Sipas rregullores së Kuvendit, seanca përfundon me zgjedhjen e kryetarit e të nënkryetarëve. Nëse parlamenti konstituohet në përpjekjen e gjashtë, atëherë hapet rruga për formimin e qeverisë së re.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haxhiu konsiderohet “figurë përçarëse”, por Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) refuzon të votojë çdo emër të propozuar Vetëvendosja, si fituese e zgjedhjeve parlamentare. Besar Gërgi nga Grupi për Studime Ligjore dhe Politike (GSLP) i sheh këto si motive të mundshme.

Nga njëra anë, ato [partitë politike] duket se kanë një lloj rehatie me situatën, dhe nuk iu bëhet vonë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Por, nga ana tjetër, shihet se kanë edhe një mospëlqim për emrin e caktuar, të zonjës Haxhiu, tha Gërgi për Radion Evropa e Lirë.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Nuk ka ndërruar emri, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i seancës së konstituimit, Avni Dehari, një natë para vazhdimit të seancës. Nuk kam thirrur asnjë takim konsultativ me partitë politike para vazhdimit të seancës konstituive. Jo, e kemi kryer takimin konsultativ, tash do të vazhdojmë me mbledhjen, siç është në plan, tha Dehari, i cili kryeson seancën si deputeti më i moshuar.

Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim nga herat e kaluara dhe se as në seancën e sotme nuk do ta përkrahë propozimin që Albulena Haxhiu të bëhet kryeparlamentarja e re e Kosovës.

Qëndrimi dhe votimi është ashtu siç ka qenë edhe herën e kaluar, u shpreh Limaj.