Mungesa e marrëveshjeje të mundshme mes partive politike që do ta zgjidhte situatën për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës e thellon më tej ngërçin institucional. Sipas analistëve, nëse nuk ka pajtim edhe nesër, nuk ka ndonjë kufizim ligjor që seanca të vazhdojë çdo 48 orë pas secilës ndërprerje, “deri në pafundësi”.
Albert Krasniqi nga Demokraci Plus (D+) në Prishtinë shpreh mendimin se Lëvizja Vetëvendosje mund të vazhdojë të mos propozojë një emër tjetër për kryetar Kuvendi.
Nëse LVV-ja nuk propozon emër, atëherë kjo mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se e drejta për të propozuar nuk nënkupton edhe të drejtën për të imponuar kandidat dhe aq më pak, për të bllokuar konstituimin e Kuvendit.
Por, të drejtën për t’iu drejtuar për çështje të caktuara Gjykatës Kushtetuese e kanë vetëm presidentja e Kosovës, Avokati i Popullit dhe Kuvendi i Kosovës.
Ndërkaq, profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu shpreh mendimin se para se ndonjë nga institucionet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për çështjen e zhbllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, mund të ndërhyjë presidentja Vjosa Osmani.
Presidentja Osmani ka kompetencë kushtetuese që të garantojë mbarëvajtjen dhe funksionimin kushtetues të institucioneve. Në këtë rast, mbarëvajtja nënkupton edhe proceduralisht, fillimin e vazhdimin e konstituimit të Kuvendit. Mbi këtë bazë, mund të ndërhyjë në çdo kohë.
Megjithatë, ndërhyrja e presidentes në këtë rast është vetëm një lloj ndërmjetësimi ose ftese për partitë politike që të kenë dakordësi për ta çuar në fund procesin e konstituimit të Kuvendit.
Në të kundërtën, presidentja Osmani, Avokati i Popullit ose një grup deputetësh të Kuvendit, mund të dërgojnë një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim lidhur me kufizimin e afateve për konstituimin e Kuvendit dhe sidomos për atë nëse ka kufizime në përsëritjen e vazhdimit të seancës për çdo 48 orë?
Çfarë duhet bërë në këtë situatë? Gjykata Kushtetuese e ka pasur edhe një deklarim më herët që të mos bëhen pyetje të tilla “çka dhe si”. Por, duhet gjetur një formulim i duhur, në mënyrë që ta detyrojë Gjykatën që të japë një mendim adekuat dhe kompetent, u shpreh Baraliu.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Kosovës lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje. Javën e kaluar, Osmani kishte shprehur gatishmërinë për të biseduar me partitë politike për rrugën përpara, nëse këtë e shohin si të nevojshme.
Duke marrë për bazë mospajtimet ndërmjet partive politike lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dje nga Lëvizja Vetëvendosje u tha se duhet të thirren grupet politike, të konstituohet Kuvendi dhe më pas, të arrihet pajtimi që parlamenti të shpërndahet e vendi të shkojë në zgjedhje.