Bota

Viktima dhe të plagosur nga sulmet ruse në Kiev!

Të paktën 6 persona u vranë dhe mbi 50 mbetën të plagosur si pasojë e sulmeve ruse me dronë dhe raketa në Ukrainë në orët e para të mëngjesit. Siç njoftuan zyrtarët ukrainas, në mesin e të vrarëve është edhe një 6-vjeçar, ndërsa tre viktima u konfirmuan në hapësirat e një blloku banesash të rrëzuar nga sulmet.

Tymur Tkachenko, shef i administratës ushtarake të Kievit, vuri në dukje se numri i viktimave mund të rritet, pasi dëme janë shkaktuar në dhjetëra lokacione në kryeqytetin ukrainas.

Sulmet e Rusisë vazhdojnë pavarësisht kërcënimeve të presidentit amerikan, Donald Trump që të vendosë sanksione më të ashpra ndaj Moskës, nëse lideri rus, Vladimir Putin nuk bie dakord për një armëpushim deri më 8 gusht.

Në një postim në Telegram, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko tha se dritaret e një spitali për fëmijë në rajonin Shefçenski janë thyer tërësisht.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha theksoi se Kievi është dëshmitar i një “mëngjesi të tmerrshëm” dhe se ende ka njerëz nën rrënoja. Sipas tij, presidenti Trump është treguar “shumë i durueshëm” me Putinin e shtoi se tani është koha për “presion maksimal ndaj Moskës” përmes sanksioneve.

Më herët këtë muaj, Trump pati vendosur një ultimatum 50-ditor për Kremlinin që të arrijë një marrëveshje me Kievin ose në të kundërtën do të përballet me pasoja ekonomike. Të hënën, presidenti amerikan e reduktoi afatin e ultimatumit në “10 deri në 12 ditë”, duke shprehur pakënaqësinë për veprimet e homologut rus në Ukrainë, pas më shumë se tre vjetëve që kur Moska nisi luftën në këtë shtet.

Trump nuk ka thënë se presidenti rus po e gënjen, por se ka përplasje mes retorikës së Putinit në bisedat e tyre telefonike dhe hedhjes së raketave në qytetet ukrainase. Lufta në Ukrainë vijon prej 24 shkurtit të vitit 2022. Presidenti Vladimir Putin e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.