Sport

Vllaznia reagon pas zhgënjimit, mund Teutën në Durrës në duelin me gola spektakolarë

Vllaznia ka lënë shpejt pas krahëve zhgënjimin e humbjes me Egnatian, pasi ka siguruar një fitore të rëndësishme në transfertë me shifrat 3-1 përballë Teutës.

Gjithçka ishte meritë sidomos e një pjese të parë, ku shkodranët vunë në vështirësi të vazhdueshme prapavijën e durrsakëve, të ndëshkuar që në minutën e dytë me Malën. Dodaj fitoi penalltinë që e ktheu në gol Balaj e më pas vetë talenti shkodran goditi shtyllën, me vendasit që u zgjuan vetëm në fundin e fraksionit të lojës.

Në pjesën e dytë, një gol spektakolar i Dodajt thelloi diferencën për shkodranët. Por Teuta provoi të reagonte dhe pasi gjeti një gol të bukur me Beshirajn, u mundua të shtynte më shumë para drejt sulmit. Megjithatë, rreziqet para Jukajt nuk ishin të shumta dhe kështu shkodranët siguruan tre pikë që i bëjnë të hedhin hapa të rëndësishëm në renditje. Kurse durrsakët, kthehen të shohin edhe një herë hijet e zonës së ftohtë të renditjes dhe luftës për mbijetesë.

LEXO EDHE: “Kemi mungesa me Skënderbeun”, Ilir Daja: Për merkaton presim deri në mesnatë, më tej do shohim…

Me triumfin e arritur po sot ndaj Bylisit, Egnatia qëndron dy pikë para Vllaznisë. Këto të fundit ngjiten nga vendi i katërt në dytë duke kaluar Partizanin dhe Dinamon.

Teuta po kalon një periudhë shumë të vështirë, pasi aktualisht mban vendin e tetë në renditje. Në anën tjetër Bylis aktualisht mbetet si vend i gjashtë.

Vlen për t’u theksuar se nesër do të luhen 3 ndeshjet e mbetura për javën e 23-të, që do të ndryshojnë renditjen. Në orën 13:30 luhet Laçi – Partizani, ndërsa në orën 16:30 zhvillohen takimet Dinamo – Skënderbeu dhe Tirana – Elbasani.

LEXO EDHE: Egnatia e mbyll janarin vetëm me fitore, Edlir Tetova: Nuk është kjo forma më e mirë, gjithsecili i ka të ngulitur detyrat