Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve reagoi për situatën në qytetin e Vlorës, ku prej 4 ditësh ka mungesë të furnizimit me ujë. Sipas AKUK-ut, problematika ndodhi mesnatën e datës 25 dhjetor dhe pritet që këtë të hënë, në orën 17:00, të mbërrije nga Stambolli i Turqisë pjesa e dëmtuar që shkaktoi mungesën e ujit.
Deri në fund të ditës, sipas AKUK-ut, parashikohet përfundimi i riparimit të avarisë e pritet të nisë furnizimi i qytetit bregdetar jugor me ujë.
Deri më tani, vetëm një pompë po furnizon zonën e Lungomares ndërsa pjesa tjetër e qytetit furnizohet me autobote. Ujësjellës Kanalizimet Rajoni Vlorë, njoftoi qytetarët se uji i autoboteve mund të përdoret vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum.
NJOFTIM I RËNDËSISHËM:
Ujësjellës Kanalizimet Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.
Faleminderit!