Aktualitet

Vlora pa ujë, banorët në protestë, tentojnë të hyjnë në Bashki/Tensione me policinë!

Qytetarët e Vlorës sot janë dyndur në dyert e Bashkisë Vlorë duke protestuar pasi prej 4 ditësh qyteti nuk furnizohet me ujë. Në sheshin përpara bashkisë shihet një numër i konsiderueshëm qytetarësh, të cilët po përplasen me policinë duke tentuar të futen në ambientet e brendshme të bashkisë.

Në drejtim të efektivëve të policisë, qytetarët kanë hedhur letra higjienike ndërsa me bidonë në duar kërkojnë prezencën e kryetares së bashkisë, Brunilda Mersini.

Protestat kanë nisur që prej mbrëmjes së djeshme në dyert e teatrit “Petro Marku” ku bashkia kishte organizuar mbrëmje gala me rastin e festave të fundvitit. Qytetarët arritën të futeshin brenda duke ndaluar zhvillimin e koncertit të planifikuar e më pas tentuan bllokimin e bulevardit “Ismail Qemali”.

Ishte një defekt i shkaktuar në linjën kryesore të transmetimit që ka ndërprerë furnizimin me ujë. Konkretisht, defekti ka ndodhur në tubin kryesor që furnizon depot e qytetit, me diametër 1000 milimetra, çka ka bërë që Vlora të mbetet pa ujë. Kjo linjë është një investim i vitit 2009-2010. Po vijon puna nga ana e autoriteteve për të rregulluar avarinë, gjë për të cilën janë bërë prova, por të dyja kanë rezultuar të pasuksesshme.

Në dyert e Bashkisë Vlorë, qytetarët janë dyndur duke protestuar pasi prej 4 ditësh qyteti nuk furnizohet me ujë për shkak të një defekti në linjën kryesore. Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini, e cila nuk ndodhet në bashki, por tha se është prezente tek ujësjellësi ku dhe ka ndodhur defekti.

Qytetari i është përgjigjur se ajo nuk ndodhet tek ujësjellësi pasi atje ka gazetarë, ndërsa i kërkon që të vijë dhe të bisedojë më qytetarët për problematikën e krijuar tashmë prej 4 ditësh. Më pas Brunilda Mersini u ka mbyllur telefonin.