Një 44-vjeçar u arrestua në Durrës, i akuzuar se gjatë natës vodhi një farmaci në lagjen nr. 12 në Durrës. Ai u kap kur nga patrulla që po kalonte në zonë, u pikas duke dalë me vrap nga farmacia. Menjëherë u bë ndalimi i tij dhe gjatë kontrollit iu gjet një çantë me produkte, që rezultoi se ishin vjedhur në farmaci.
Në pranga përfundoi shtetasi me iniciale I.D., 44 vjeç, banues në Durrës, i cili rezulton i dënuar më parë për vjedhje. Policia sekuestroi produktet e vjedhura, si dhe mjete që dyshohet se përdoreshin nga 44-vjeçari për kryerjen e vjedhjeve.
Hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera të mundshme vjedhjesh që mund të jenë kryer nga i arrestuari. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.