Ambiciet e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, se në fund të 2024-ës do të kryheshin pagesat e para nga Paketa e Rritjes dhe Reformave të BE-së, nuk u realizuan. Për më tepër, ato nuk u kryen as në fillim të 2025-ës dhe nuk është e qartë se kur do të mund të bëhen. Vonesat në pagesa, sipas disa burimeve diplomatike në BE kanë të bëjnë më shumë me vonesat e vendeve përfituese, pra atyre të Ballkanit Perëndimor në përmbylljen e procedurave të brendshme.
Duket se kësaj radhe BE-ja është më e gatshme t’i bëjë pagesat nga kjo paketë sesa vendet e rajonit janë të gatshme t’i marrin ato, tha për Radion Evropa e Lirë një burim i BE-së.
Nga Komisioni Europian nuk u përgjigjën saktësisht se në cilën fazë janë vendet e rajonit, sa u përket pagesave që presin t’i marrin. Zyrtarët rikujtuan se të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës i kanë axhendat e reformave të miratuara nga Unioni dhe se me këtë i kanë përmbushur kriteret për pagesat paraprake në vlerë 7% të totalit nga ana e BE-së.
Momentalisht, Komisioni është duke finalizuar hapat në procedurë, që do të mundësojnë pagesën e parafinancimit sa më parë që të jetë e mundur në vitin 2025. Pagesat e para të rregullta pritet të bëhen në tremujorin e dytë dhe të tretë të këtij viti, pasi të përmbushen kriteret përkatëse, thanë nga Brukseli zyrtar.
Duket se problemi me disa vende të rajonit, përfshirë Kosovën është se me BE-në duhet të arrijnë marrëveshje për kredi, pasi një pjesë e mjeteve financiare janë në formë të kredive dhe një pjesë grante pa kthim. Marrëveshje të tilla kanë karakter të atyre ndërkombëtare, ndaj duhet të ratifikohen në kuvend me dy të tretat e votave.
Për shkak të zgjedhjeve në Kosovë, që u zhvilluan më 9 shkurt, procedura e konstituimit të kuvendit dhe formimit të qeverisë së re pritet të marrë kohë, kështu që gjasat janë të vogla që vendi të marrë ndonjë pagesë nga BE-ja para verës.
Paketa e përgjithshme për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi kap shumën prej 6 miliardë eurosh dhe mbulon periudhën prej vitit 2024 deri më 2027-ën.
Nga kjo shumë, 2 miliardë euro janë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Qëllim i kësaj pakete ambicioze financiare të Bllokut është që të ndihmohet rritja ekonomike në këtë rajon dhe në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit të tij europian.