Votimet e sotme në Kosovë pritet të përcaktojnë se kush do ta drejtojë vendin në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, negociata të ngecura prej një kohe të gjatë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian iu kërkuan palëve, të zbatojnë marrëveshjen e arritur gati dy vjet më parë, sipas së cilës “Kosova duhet të themelojë një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi, t’i njohë “de facto” pavarësinë.
Kryeministri Albin Kurti është kritikuar nga perëndimorët lidhur me veprimet e qeverisë së tij në veriun me shumicë serbe. Bashkimi Europian vazhdon të mbajë në fuqi masa ndëshkuese ndaj Kosovës, që nga qershori 2023, për shkak të tensioneve në veri.
Por, bisedimet me Serbinë nuk gjetën shumë vend në fushatën zgjedhore. Partitë opozitare kritikuan qeverinë Kurti për marrëdhëniet me aleatët, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Gjatë administratës Biden, Uashingtoni tërhoqi vërejtje se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun me shumicë serbe, ndikuan në cilësinë e partneritetit, si dhe paralajmëruan Prishtinën se mospajtimet, pengojnë angazhimin amerikan për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Çështja e këtyre marrëdhënieve u bë objekt diskutimesh ditët e fundit, pas dy postimeve në X nga i dërguari i Presidentit Trump për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i cili në administratën e parë ishte i dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij, “marrëdhëniet janë në pikën më të ulët”, edhe pse qeveria e Kosovës këmbëngul se janë “shumë të mira”.
Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja e që shtuan praninë e tyre në Kosovë pas tensioneve të viteve të kaluara, kanë rritur trupat në prag të zgjedhjeve parlamentare. Për mbarëvajtjen e tyre, Policia e Kosovës tha se ka hartuar një plan të posaçëm, në bashkërendim më KFOR-in, Misionin e BE-së për sundimin e ligjit, prokurorinë dhe diplomatët perëndimorë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmoi se në të gjitha qendrat në Kosovë, procesi i votimit ka filluar.
I gjithë materiali zgjedhor u shpërnda në kohë.
Gjatë të parës konferencë për media të KQZ-së për sot, zëdhënësi Valmir Elezi iu bëri thirrje qytetarëve, të ushtrojnë të drejtën e votës dhe bëri të ditur se “brenda Kosovës, të drejtë vote kanë mbi 1.9 milion qytetarë”. Po ashtu, Elezi iu kujtoi vendimin e KQZ-së se në qendrat e votimit, mund të identifikohen edhe me letërnjoftim me afat të skaduar.