Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha se në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë, procesi i votimit ka filluar, duke shtuar se “i gjithë materiali zgjedhor u shpërnda në kohë”. Gjatë të parës konferencë për media të KQZ-së, Elezi iu bëri thirrje qytetarëve të Kosovës, të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës dhe tha se “të drejtë vote brenda Kosovës kanë mbi 1.9 milion qytetarë”. Po ashtu, Elezi iu kujtoi edhe vendimin e KQZ-së se në qendrat e votimit, mund të identifikohen me letërnjoftim me afat të skaduar.
Më herët në mëngjes, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, votoi në një qendër votimi në Pejë për zgjedhjet parlamentare. Pas votimit, ftoi qytetarët dhe aktorët e tjerë që të respektojnë rregullat elektorale në ditën e zgjedhjeve.
Ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë! Gjithçka është gati për këtë proces.
Në zgjedhje marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore. Në 10 komunat me shumicë serbe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është: 106 mijë e 29.
Numri i saktë i serbëve në Kosovë ende nuk dihet me saktësi. Shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua vitin e kaluar. Sipas vlerësimit të publikuar më 19 dhjetor 2024 nga Agjencia e Statistikave, në katër komuna na veri të Kosovës jetojnë rreth 20 mijë serbë. Ndërkohë, në gjashtë komunat e tjera në jug të Ibrit (Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Ranillug) janë regjistruar 27 mijë e 316.
Në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët nisën votimin për zgjedhjet parlamentare. Ata u mblodhën në qendër të qytetit e si në të kaluarën, bashkërisht iu drejtuan qendrave të votimit. Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën “Sveti Sava”.