Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi dënimin me 16 vite burg për Mario Përlleshajn, i shpallur fajtor për vrasjen e të miturit Martin Cani dhe plagosjen e Luis Meçes.
Përlleshaj u dënua për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese” ndaj Martin Canit dhe “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë” ndaj Luis Meçes.
Gjykata e Tiranës kishte vendosur fillimisht 12 vite burg për vrasjen e Martin Canit dhe 10 vite burg për tentativën e vrasjes së Luis Meçes. Pas bashkimit të dënimeve, masa përfundimtare ishte 16 vite heqje lirie, vendim që tashmë është konfirmuar edhe nga Apeli.
Pas vendimit, babai i viktimës, Engjëll Cani, deklaroi se familja e konsideron si një formë drejtësie, por sipas tij kërkesa e tyre ishte për një dënim më të rëndë.
“Është dhënë një lloj drejtësie, por ne kërkonim më shumë”, u shpreh ai.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, pas një konflikti mes të miturve që kishte nisur në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë. Përplasja përfundoi me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani dhe plagosjen e bashkëmoshatarit të tij, Luis Meçes.