Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e paraqitur nga autori i dyshuar për vrasjen e Martin Canit, 18 nëntorin e kaluar në Tiranë, duke i lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg”. Përmes avokatit mbrojtës, 14 vjeçari dorëzoi rekursin ku kërkonte heqjen e arrestit me burg, që iu caktuar nga të dyja shkallët e gjyqësorit. Çështja u shqyrtua nga gjyqtari Ilir Panda.
Në njoftimin zyrtar, thuhet:
Mospranimin e rekursit të paraqitur nga personi nën hetim – i mituri në konflikt me ligjin, kundër vendimit nr. 30-2024-9430/2949, datë 17.12.2024, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Pas arrestimit, ai mbahet në Institutin e të Miturve në Kavajë, ku ka kërkuar një masë më të butë sigurie. Pak ditë më parë, Gjykata e Tiranës kaloi dosjen në ngarkim të tij për gjykim, si dhe i refuzoi kërkesën për gjykim të shkurtuar që në rast se shpallet fajtor do t’i ulte 1/3 e dënimit. Familjarët e Martin Canit kërkuan jo vetëm drejtësi, por edhe transparencë nga gjykata.
Martin Cani, vetëm 14 vjeç, u vra më 18 nëntor 2024 pak metra larg shkollës “Fan Noli” ku mësonte në Tiranë. Nga sherri mes adoleshenteve mbeti i plagosur edhe shoku i tij, Luis Meçja, i cili tashmë ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Më 22 nëntor, u zhvillua seanca gjyqësore në mjediset e një spitali privat në Tiranë ku i dyshuari kurohej për shkak të plagëve të marra. I mituri dyshohet për “Vrasje e kryer në rrethana cilësuese”
Më pas, më 10 shkurt ishte Gjykata e Apelit që i rrëzoi kërkesën për ta liruar duke e lënë në arrest me burg. Ai kishte kërkuar që të ndryshohej masa e sigurisë e të qëndronte në “arrest shtëpie”. Vrasja e Martin Canit tronditi opinionin publik e çoi në vendimin për mbylljen e përkohshme të TikTok-ut.