Gjykata e Dibrës vendosi të lërë në qeli me masën e sigurisë “Arrest me burg”, Fatjon Bushgjokën e Petrit Çakrrin, të akuzuar për vrasjen e të riut Renis Dobra në Mat, disa ditë më parë. Për ngjarjen e rëndë, janë shpallur në kërkim dhe dy vëllezërit e Fatjon Bushgjokës, Kristi e Aleksandër Bushgjoka. Dyshohet se ata janë larguar nga Shqipëria.
Vrasja e 23 vjeçarit u zbardh më 16 korrik, kur edhe u vendosën në pranga dy prej autorëve të dyshuar, të cilët dhanë dëshmi kontradiktore para hetuesve. Por ishin kamerat e sigurisë në bizneset e aksit Burrel-Tiranë që i tradhtuan.
Nga kqyrja e pamjeve filmike, rezultoi se 55 vjeçari Çakrri, si edhe tre vëllezërit, Fatjon, Kristi e Aleksandër Bushgjoka (dy të fundit në kërkim policor) ishin bashkë në kafe, pranë një pike karburanti, pak orë para krimit. Më pas, ata udhëtuan të ndarë me dy automjete, “Range Rover” e një “Hundyai Santa Fe”, nga Burreli drejt fshatit Zenisht.
Çakrri rrëfeu para hetuesve se Bushgjokajt i kërkuan të largohej e pretendoi se kështu bëri. Ai mohoi çdo përfshirje në vrasje, duke deklaruar se çfarë ndodhi me Renis Dobrën e mësoi më pas, vetëm nga mediat.
Renis Dobra u mbyt me litar mbrëmjen e 8 korrikut, pasi fillimisht u mor peng. Trupi i tij u gjet buzë lumit të Shkopetit, ndërsa makina në ujë. Policia zbardhi vrasjen me pamje kamerash, të cilat i çuan te makinat me qira që grupi mori për disa ditë me radhë për kryerjen e krimit.