Aktualitet

Përplasi për vdekje dy të miturit në Durrës, sot masa e sigurisë për Nikoll Radaçin!

Sot jepet masa e sigurisë për Nikoll Radaçin, shoferin e dehur, i cili më 3 maj përplasi për vdekje dy të mitur në Durrës dhe plagosi rëndë një tjetër. Edhe në njoftimin zyrtar, policia theksoi se drejtuesi ishte i dehur pas kryerjes së testit të alkoolit, ndërsa shkak i aksidentit fatal u bë humbja e kontrollit mbi mjetin.

Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të 57 vjeçarit, rezulton se është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar në vitin 2020 e për tejkalim të shpejtësisë në dy raste, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj më 2022-shin.

Dje u përcollën për në banesën e fundit dy fëmijët që të dielën humbën jetën në aksidentin e shkaktuar nga fqinji i tyre ndërsa luanin në trotuar, në zonën e ish-Kënetës në Durrës. I mituri i tretë i lënduar, 8 vjeç, për fat të mirë mundi të fitojë betejën dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shoferi që vrau dy fëmijët që luanin në trotuar para shtëpisë, dha dëshminë e parë në polici, duke pretenduar se nuk mbante mend, pasi ishte i dehur.

Nikoll Radaçi, 57 vjeç, nga Mirdita jetonte në rrugicën ku shkaktoi aksidentin e njihej si njeri shumë problematik me sjelljen e tij të dhunshme. I pëlqente ta quanin “Bisha”, ndërsa policia tregoi se disa herë ndaj tij janë marrë masa ndëshkimore për sjellje jashtë rregullave në timon. Pas tragjedisë, familjarët e Radaçit janë larguar nga zona, të shoqëruar prej uniformave blu.

Kryepolici Skënder Hita pezulloi drejtues të bluve në Durrës. Për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave, të pezulluarit janë kreu i Policisë Durrës, Afrim Tafa, zv.drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj e shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.

Hita urdhëroi edhe ngritjen e një grupi ekspertësh nga strukturat e Policisë Rrugore, që shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi nga ana e punonjësve të policisë lidhur me këtë rast të rëndë.