Aktualitet

Ilir Meta kërkon lirinë, sot GJKKO-ja i shqyrton kërkesën/Po sot, Meta feston ditëlindjen!

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, sot shqyrton kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për zbutjen e masës së sigurisë. Ndryshe nga herët e tjera, Meta depozitoi një tjetër kërkesë në Gjykatën e Posaçme,  për lirimin nga qelia kundrejt një garancie pasurore.

Në burg prej tetorit 2024, përballet me akuza për korrupsion në lidhje me CEZ-DIA/n, lobim të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.

Ndërsa hynte në GJKKO, avokati mbrojtës, Kujtim Cakrani iu kujtoi gazetarëve ditëlindjen e 57-të të Ilir Metës.

E dini që sot presidenti ka ditëlindjen apo jo, prandaj duhet ta uroni!

Me rastin e ditëlindjes, sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i përcolli një mesazh urimi përmes rrjeteve sociale:

Edhe 100 pranvera të reja, të mbushura me shëndet të plotë, energji të pashtershme dhe mbarësi në çdo hap për Presidentin Ilir Meta, liderin e pathyeshëm, patriotin e palëkundur dhe burrin e shtetit me vizion të qartë, që i ka kushtuar jetën kauzave të mëdha kombëtare.

Sot, më i fortë se kurrë, ai qëndron si një simbol frymëzimi për Lirinë, Demokracinë dhe dinjitetin njerëzor, një zë i fuqishëm i qëndresës dhe rezistencës përballë padrejtësisë, së keqes dhe çdo forme autokracie.

Me gjithë zemër uroj që kjo ditëlindje të shënojë edhe një kthesë të shpejtë drejt lirisë së merituar, aty ku e ka vendin, pranë njerëzve, mes bashkëpunëtorëve të tij besnikë, gjithmonë në shërbim të Shqipërisë dhe në mbrojtje të sovranitetit dhe interesit kombëtar.

Malet tona më të larta mishërojnë qëndresën, fuqinë, pathyeshmërinë dhe fitoren e tij dhe Partisë së Lirisë.

LIRIA DO TË TRIUMFOJË SHUMË SHPEJT!