Rajoni

Vrasja e dy nxënësve dhe shoferit në Gllogjan, Policia e Kosovës arreston disa persona/ Shënjestër dyshohet të ketë qenë shoferi i autobusit

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona lidhur me vrasjen e trefishtë në Gllogjan.

Mediat kosovare kanë zbuluar se bëhet fjalë për tre të arrestuar nga fshati Gllogjan. Tre të arrestuarit dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e shoferit Gani Gjokaj dhe dy nxënësve Genta Mustafaj dhe Ledion Hamzaj në Gllogjan.

Motivet e këtij sulmi dyshohet se lidhen me një rast të vetëvrasjes të një vajze nga Gllogjani.

Sipas familjes së vajzës së vetëvrarë arsyeja e kësaj vetëvrasje është shoferi i autobusit, Gani Gjokaj.

Prokuroria e Pejës ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme sot në orën 21:30.

“Ju ftojmë të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme për media, e cila do të mbahet sonte nga ora 21:30, në objektin e Prokurorit të Shtetit, kati i tretë, salla e takimeve të KPK-së”, shkruhet në njoftim.

Kujtojmë se vrasja e trefishtë në Gllogjan ndodhi mbrëmjen e 26 nëntorit, pas një sulmi me kallashnikov që u bë drejtim të autobusit i cili ishte në lëvizje.