Aktualitet

I jepet lamtumira e fundit gjyqtarit Astrit Kalaja, trupi i tij do të prehet në Shkodër!

Kanë përfunduar homazhet në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra teksa ushtronte detyrën, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit Tiranë më 6 tetor 2025. Ceremonia e varrimit të tij është sot, në orën 16:00, në “Stom Golem Shkodër”.

Në Pallatin e Kongereseve u zhvilluan homazhet për nder të gjykatësit të vrarë të hënën në sallën e gjyqit në fund të një procesi gjyqësor për çështje prone.

Familjarë, kolegë e politikanë i kanë dhënë lamtumirën e fundit gjykatësit të Apelit.

Në homazhe morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, Kreu i SPAK, Altin Dumani dhe funksionarë të tjerë të politikës e drejtësisë.

Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit ditën e hënë, pasi po jepte një vendim për një çështje pronësie. Për ngjarjen u arrestua Elvis Shkambi, 30 vjeç, i cili ishte pjesë në proces. Ai gjithashtu plagosi Rakip dhe Elvis Kurtajn, palë kundërshtare në proces.

Policia arrestoi edhe xhaxhain e Elvisit, Gjon Shkambin, i cili ishte i pranishëm në sallë kur ndodhi vrasja. Gjithashtu u arrestua edhe roja i sigurisë në Gjykatën e Apelit, Banush Koxhaj, i cili akuzohet se ka lejuar Shkambin të futet në gjykatë me armë, pa i kryer kontrollet e duhura.