23-vjeçarja Brooke George po përballet me akuzën për vrasje në Dubai dhe rrezikon dënimin me vdekje nëse shpallet fajtore nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe. Influencuesja e “TikTok”-ut akuzohet se ka vrarë me thikë një 26-vjeçar britanik, me të cilin kishte krijuar një lidhje pas njohjes në rrjetet sociale. Sipas së resë nga Kenti i Anglisë, ngjarja ndodhi pasi ishte përballur me dhunë të vazhdueshme dhe kishte vepruar për të mbrojtur jetën e saj. 23-vjeçarja ndodhet aktualisht në paraburgim në burgun e Bur Dubait, ndërsa organizata për të drejtat e njeriut “Detained in Dubai” po kërkon që rasti të trajtohet si një çështje e dhunës në familje dhe që ajo të lirohet me kusht gjatë hetimeve.
Drejtoresha e organizatës deklaroi se 23-vjeçarja kishte marrë një thikë vetëm pasi ishte sulmuar fizikisht dhe goditur në fytyrë. Sipas dëshmisë së Brooke George, ajo e kishte njohur viktimën përmes “Facebook”-ut. Megjithatë, gjatë udhëtimit të tyre në Dubai, sjellja e tij kishte ndryshuar ndjeshëm, duke u bërë sipas saj kontrolluese dhe abuzive, shkruan The Sun. E reja pretendon se zbuloi se partneri i kishte rezervuar vetëm një biletë vajtje për në Dubai, gjë që e kishte alarmuar. Pas një mbrëmjeje në një lokal në zonën e Jumeirah Village, ai dyshohet se e kishte sulmuar fillimisht në makinë dhe më pas në apartament.
Familjarët e saj thonë se Brooke i kishte telefonuar në gjendje paniku, duke treguar se ishte goditur disa herë me grushte. E vendosur të largohej nga vendi, ajo kishte organizuar kthimin në Britani dhe ishte rikthyer në apartament vetëm për të marrë pasaportën. Sipas versionit të saj, në momentin kur kërkoi dokumentin, u sulmua sërish dhe, nga frika për jetën, përdori një thikë kuzhine që ndodhej pranë për t’u mbrojtur. 23-vjeçarja u arrestua në aeroportin e Dubait në orët e para të 22 qershorit dhe më pas u akuzua për vrasje. Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një version zyrtar të plotë mbi rrethanat e ngjarjes. Nëse shpallet fajtore sipas ligjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, George mund të përballet me dënime shumë të rënda, përfshirë edhe dënimin me vdekje.