Pas suksesit të ringjalljes së “Bad Boys”, duket se Sony Pictures po synon të rikthejë edhe një tjetër seri ikonike. Sipas raportimeve të Deadline, kompania ka nisur punën për një film të ri “Men In Black”, duke angazhuar skenaristin e “Bad Boys For Life”, Chris Bremner, për të shkruar kapitullin e ardhshëm të sagës së famshme fantastiko-shkencore.
Edhe pse detajet e historisë mbahen ende të fshehta, burime të brendshme thonë se sapo Bremner të përfundojë skenarin, personi i parë që do ta marrë në dorë do të jetë vetë Will Smith, me shpresën që aktori të rikthehet në rolin legjendar të Agjentit J.
Ende nuk dihet nëse ai do të ketë rol kryesor apo nëse filmi do ta çojë serinë drejt një brezi të ri agjentësh.
Franshiza “Men In Black”, që përfshin filmin origjinal të vitit 1997, dy vazhdimet dhe ribërjen “MIB: International” të vitit 2019, ka arkëtuar plot 1.904 miliardë dollarë në mbarë botën, duke mbetur një ndër seritë më fitimprurëse të zhanrit.
Projekti i ri është në fazat më të hershme të zhvillimit, ndaj nuk ka ende marrëveshje zyrtare me producentët.
Megjithatë, filmat e mëparshëm janë prodhuar nga Walter F. Parkes dhe Laurie MacDonald, ndërsa Steven Spielberg ka mbajtur postin e producentit ekzekutiv, një ekip që fansat shpresojnë ta shohin sërish të bashkuar.
Për momentin, mbetet vetëm të pritet nëse Will Smith do të veshë sërish kostumin e zi dhe syzet ikonike për një mision të ri ndërgalaktik.