Xabi Alonso shpreson për rikthimin e Jude Bellingham para muajit tetor, ndërsa ka vlerësuar garën e shëndetshme mes Trent Alexander-Arnold dhe Dani Carvajal për një vend në formacionin bazë të Real Madridit.
Los Blancos rikthehen këtë të shtunë në fushë ndaj Real Sociedadit, një ndeshje që trajneri spanjoll e konsideron vendimtare për vazhdimësinë e sezonit.
Ky nuk është testi im i parë i madh. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe çdo pikë mund të jetë thelbësore në këtë rrugëtim të gjatë
-deklaroi Alonso.
Ai theksoi formën e shkëlqyer të Kylian Mbappes, duke shtuar se edhe Rodrygo me Viniciusin mund të luajnë së bashku në vijën e sulmit.
Duhet të jemi të qetë. Mbappe është mirë fizikisht dhe psikologjikisht
-tha tekniku madrilen.
Në lidhje me rikuperimin e Jude Bellingham, i cili iu nënshtrua një operacioni në krah, Alonso u shpreh optimist:
Dua të jem pozitiv dhe shpresoj që ai të jetë gati para tetorit. Ka bërë disa stërvitje me grupin, por duam ta mbrojmë. Ka treguar përkushtim të madh, edhe pse nuk do të jetë i gatshëm nesër.
Sa i përket konkurrencës mes Carvajal dhe Alexander-Arnold, Alonso e cilësoi një situatë ideale për grupin:
Gara është e shëndetshme dhe e domosdoshme. Nuk vlen vetëm për mbrojtësit e djathtë, por edhe për pozitat e tjera. Ai që e meriton vendin, do ta marrë.
Real Madridi do të zbresë në fushë ndaj Sociedadit të shtunën në orën 16:15, me synimin e vetëm për të marrë tre pikë.