Bota

Xi i veshur si Mao në Paradën e Fitores, mesazhi dhe sfida ndaj Trump-it!

Në Pekin, në sfondin e Sheshit Tiananmen, Xi Jinping u shfaq i veshur me një xhaketë gri në stilin e Maos, krah për krah me Vladimir Putinin dhe Kim Jong Unin, për paradën ushtarake më mbresëlënëse të organizuar ndonjëherë nga Kina.

Imazhi u bë shpejt viral: nuk ishte vetëm një zgjedhje estetike, por një gjest politik me vlerë të fuqishme simbolike. Xi donte të kujtonte epokën revolucionare e njëkohësisht e projekton Kinën si një fuqi autonome, të gatshme për të sfiduar hapur hegjemoninë e SHBA-ve.

Në fjalimin e mbajtur, ai foli për një botë “në një udhëkryq midis paqes dhe luftës”, duke rikonfirmuar vendosmërinë për t’iu kundërvënë një rendi global të bazuar në dominimin e një superfuqie të vetme. Prania e Putinit dhe Kimit, udhëheqës të sanksionuar e të kontestuar nga Perëndimi, përforcoi mesazhin:

Pekini dëshiron të shfaqet në qendër të një ekuilibri të ri gjeopolitik, alternativë ndaj asaj të udhëhequr nga Uashingtoni.

Xhaketa e veshur nga Xi, e njohur si “kostumi Mao”, ka një histori të gjatë pasi rrjedh nga veshja kombëtare e promovuar në vitin 1912 nga Sun Yat-sen dhe u bë simbol i fuqisë revolucionare nën drejtimin e Mao Ce Dunit. E përdorur për dekada si një uniformë politike dhe shoqërore ka mbetur e ngulitur në imagjinatën kolektive si një shenjë uniteti, disipline dhe identiteti kombëtar.

Përdorimi i saj sot ka një vlerë të shtuar: përfaqëson vazhdimësinë me të kaluarën dhe në të njëjtën kohë, një sinjal autonomie nga Perëndimi. Jo thjesht një referencë nostalgjike, por një mesazh i qartë autoriteti dhe krenarie kombëtare.

Xi e ka veshur xhaketën në raste zyrtare, por zgjedhja për ta mbajtur gjatë paradës, me të gjithë botën që e shikonte, amplifikoi rëndësinë politike të pranisë së tij.

Fjalimi i Xi-së preku tema thelbësore. Fillimisht, foli për njerëzimin e vendosur “në një udhëkryq midis paqes dhe luftës”, duke hedhur poshtë idenë e një rendi me shumë zero bazuar në dominimin amerikan. Kostumi i tij, vendosja ushtarake dhe prania e Putinit e Kimit e bënë mesazhin edhe më të qartë:

Kina është gati të sfidojë hapur Uashingtonin.

Jo çuditërisht, imazhet shkaktuan reagime të menjëhershme politike në Shtetet e Bashkuara. Në mediat sociale, Donald Trump bëri shaka, duke folur për një “aleancë kundër Amerikës”, një shenjë se gjesti simbolik i Xi-së e goditi vendin. Më shumë se një rikthim në të kaluarën, xhaketa e Maos e veshur nga presidenti kinez duket se simbolizon një epokë të re: një vend që kërkon të perceptohet si një fuqi globale e pavarur, e aftë të ndikojë në rendin botëror të shekullit të 21-të.