Bota

Zbrazen arsenalet e raketave mbrojtëse, New York Times: Perëndimi drejt një krize mbrojtjeje ajrore!

Rezervat e raketave interceptorë po shterojnë me shpejtësi për shkak të përdorimit intensiv në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, shkruan New York Times.

Sipas analizës, këto sisteme përdoren për të rrëzuar raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë, ndërsa në shumë raste lëshohen dy interceptorë për çdo kërcënim, duke rritur ndjeshëm konsumin.

Vetëm në Gjirin Persik, Irani ka lëshuar 23 raketa lundruese, 498 raketa balistike dhe mbi 2.100 dronë, duke vënë nën presion të madh mbrojtjen ajrore.

Vende si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë përdorur mbi tre të katërtat e stokut të tyre të interceptorëve Pac-3.

Ndërkohë, prodhimi mbetet i ngadaltë për shkak të teknologjisë së avancuar, dhe sipas analistëve, kapacitetet aktuale nuk mjaftojnë për të përballuar kërkesën në rritje.

Donald Trump ka ashpërsuar retorikën ndaj Iranit, duke paralajmëruar shkatërrimin e gjithë urave dhe infrastrukturës energjitike të vendit, nëse Kanali i Hormuzit nuk hapet deri të martën.

“E marta do të jetë dita e urave dhe infrastrukturës energjetike në Iran, të gjitha në një. Nuk do të ketë asgjë të ngjashme!!! Hapni Ngushticat e mallkuara, ju kopilë të çmendur, ose do të shkoni në ferr – DO ta SHIKONI! Falënderimi i qoftë Allahut”, ka paralajmëruar Trump.

Dhe ndërsa lufta në Lindjen e Mesme po hyn në ditën e 37-të, Irani dhe Omani po negociojnë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas Ministrisë së Jashtme të Omanit.

Po ashtu ditën e sotme, forcat speciale amerikane kanë njoftuar se kanë gjetur pilotin e zhdukur në Iran pas rrëzimit të një F-15 të premten. Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe anëtarë të lartë të stafit të tij ndoqën operacionet e shpëtimit.

Trump ka njoftuar se piloti gëzon shëndet të plotë dhe i quajti operacionet e shpëtimet si një nga më të guximshmet në historinë e SHBA-së.