Më shumë se 350 vjet pas vdekjes së tij, mbetjet e legjendarit francez Charles de Batz de Castelmore d’Artagnan besohet se janë zbuluar nën dyshemenë e një Kishe në Maastricht. Zbulimi u bë në Kishën e Shën Pjetrit dhe Palit, ku një skelet u gjet pikërisht poshtë vendit ku dikur ndodhej altari. Diakoni lokal, Jos Valke, i cili mori pjesë në gërmimet, shprehet pothuajse i sigurt për identitetin e eshtrave.
“Jemi 99% të bindur se bëhet fjalë për d’Artagnan”, tha ai, duke shtuar se disa elemente përputhen me historinë e musketierit të famshëm. Indikacionet që mbështesin hipotezën. Sipas Valke dhe ekipit të tij, disa detaje janë veçanërisht domethënëse. Skeleti u gjet në tokë të shenjtë, direkt nën altar, u zbulua një plumb, që besohet të jetë ai që i mori jetën. Në varr u gjet një monedhë e vitit 1660, e lidhur me një peshkop që kishte lidhje me oborrin e Luigjit të XIV. D’Artagnan, një figurë historike reale dhe oficer i besuar i mbretit francez, u vra gjatë Rrethimit të Maastricht, kur Ushtria franceze po përpiqej të merrte qytetin.
Megjithatë, jo të gjithë janë kaq të sigurt. Arkeologu Wim Dijkman, pjesë e ekipit, kërkon verifikim shkencor përpara se të arrihet një përfundim përfundimtar. “Jam shkencëtar, ndaj dua prova konkrete. Presim analizën e ADN-së”, tha ai. Mostrat janë dërguar në Gjermani për analiza, ndërsa disa nga kockat po studiohen në Deventer për të përcaktuar moshën, origjinën dhe gjininë e skeletit. Figura e d’Artagnan u bë e pavdekshme falë shkrimtarit Alexandre Dumas në romanin Tre Musketierët, ku ai paraqitet si një nga shokët e tre musketerëve legjendarë. Edhe pse personazhet e tjerë janë fiktivë, d’Artagnan bazohet në një figurë reale historike, pjesë e trupës elitare që mbronte mbretin francez dhe merrte pjesë në operacione ushtarake.