Aktualitet

Zbulohet një punishte ku prodhoheshin silenciatorë për armë në Kombinat/Një i arrestuar!

Në Tiranë u zbulua një punishte ku një 30 vjeçar i arrestuar në flagrancë prodhonte silenciatorë për armë dhe dyshohet se ua shiste personave të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit e pronës. Policia njofton se në kuadër të operacionit “Punishtja” u prangos shtetasi me iniciale H.N, i identifikuar si Haxhi Nezaj. Ai u kap duke lëvizur në qendër të Kombinatit me armë zjarri me silenciator, gati për qitje.

Njoftimi zyrtar policor: 

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, rreth veprimtarive kriminale të një shtetasi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Punishtja”, si rezultat i të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi H.N., 30 vjeç, banues në Kombinat.

30-vjeçari u kap në flagrancë duke lëvizur në qendër të Kombinatit me armë zjarri me silenciator, gati për qitje. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan armën e zjarrit me silenciator, një armë zjarri pushkë, municion luftarak, doza kokaine dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Në vijim të veprimeve, në afërsi të banesës së të arrestuarit, u zbulua një punishte që dyshohet se përdorej nga 30-vjeçari për prodhimin e silenciatorëve për armë të ndryshme dhe më pas dyshohet se ua shiste personave të ndryshëm për kryerje të krimeve kundër personit dhe pronës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.