Në fshatin Rrencë të Shkodrës, u zbulua një bazë ku për llogari të grupeve kriminale, mbaheshin 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2 mijë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy antiplumba, si dhe një silenciator. Policia kapi e vuri në pranga pronarin e banesës, një shtetas i moshës 61 vjeç.
Njoftimi policor:
Në vijim të operacioneve kundër armëmbajtjes pa leje dhe si rezultat i punës së inteligjencës policore, Komisariati i Policisë Shkodër finalizoi operacionin policor “Baruti”. Gjithashtu, u arrestua në flagrancë pronari i banesës së vënë në funksion të veprimtarive kriminale, shtetasi Ç.J., 61 vjeç, me precedent për armëmbajtje pa leje.
Nga kontrolli, në ambientet e banesës u gjetën: 11 pistoleta, kapsollë detonatore me fitil zjarrpërcjellës, rreth 2000 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 2 antiplumba dhe 1 silenciator. Armët do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore, për të provuar përdorimin e tyre për ngjarje kriminale.
Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po hetohet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.