Aktualitet

Trafik armësh nga Kosova drejt Shqipërisë, Gjykata e Tiranës lë në burg 8 të arrestuarit!

Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurimit “Arrest me burg” për 8 të arrestuarit në kuadër të hetimeve për shitblerje armësh zjarri. Trupa gjykuese pranoi kërkesën e prokurorisë dhe në qeli do të qëndrojnë shtetasit Emirel Tusha, Leandro Haxhiaj, Fabricio Berberi, Rikardo Hajdaraj, Visar Murati, Kevin Farruku, Geraldo Muraj e Adriano Shehu.

Para gjykatës, asnjëri nga të dyshuarit nuk foli. Ndërkohë, mbrojtja ngriti pretendime se u veprua në kundërshtim me ligjin sa i përket blerjeve të stimuluara, se sipas saj, “policia i shtyu individët në veprime të kundërligjshme”.

Avokatët kërkuan prova dhe fakte konkrete për secilin nga të dyshuarit, lidhur me veprimet që pretendohet se kanë kryer. Gjithashtu, kërkuan akt-ekspertizat e armëve për të vërtetuar nëse janë ose jo funksionale.

Mbrojtja i kërkoi gjykatës të cilësojë “të paligjshëm” arrestimin dhe të marrë parasysh faktin se të dyshuarit nuk kanë precedentë penalë të mëparshëm. Nga ana tjetër, organi i akuzës vuri në dispozicion të gjykatës akt-ekspertizat e kryera për armët e sekuestruara më herët gjatë ndalimit të Altin Pajazitit e Kadri Prushit, ku njëra prej armëve rezulton jashtë funksionit.

Gjatë operacionit policor u sekuestruan 14 armë zjarri: 12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, si dhe dy automatikë. Po ashtu 2 mijë e 77 fara kanabisi, krehra e municion luftarak, tre automjete dhe tetë celularë.

Grupi i trafikut të armëve nga Kosova drejt Shqipërisë u godit pas një hetimi 5 mujor nga Antitrafiqet e Tiranës. Operacioni i koduar “Puzzle” çoi në pranga 10 persona si pjesë e këtij grupi me bazë në Burrel. Tetë prej tyre u arrestuan më 30 maj, ndërsa dy të tjerë ishin prangosur në kuadër të po këtij hetimi, më herët, më 1 prill.