Zëvendës Sekretari i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma ka mbërritur këtë të mërkurë në Shqipëri.
Verma u prit në aeroportin e Rinasit nga zyrtarë të ambasadës amerikane në Tiranë,
“Mbërrita në Shqipëri! I emocionuar që jam këtu dhe nis këtë udhëtim. Peizazhi është befasues dhe mezi pres të punoj me partnerët tanë”, shkruan ai në llogarinë e tij në X.
Më pas Verma pritet që të vizitojë Kosovën dhe Serbinë.
Në Tiranë pritet që ai të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara. Po ashtu do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen dhe strehimin e afganëve.
Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.
Në Serbi, Zëvendës Sekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.
Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor teksa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal, përfundon deklarata.
LEXO EDHE: Shqipëria përzgjidhet për partneritet me Korporatën Sfida e Mijëvjeçarit!