Presidentja Vjosa Osmani tha se “së shpejti”, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të finalizojnë një marrëveshje për “dialog strategjik” mes dy vendeve. Pas një takimi në Prishtinë me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R.Verma, Osmani shkroi se zyrtari i konfirmoi se pas kërkesës së saj nga viti 2021, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti “dialogun strategjik”.
Kjo është një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate. Ekipet e dy vendeve do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.
Osmani nuk dha më shumë hollësi. Dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera është nivel i lartë diskutimi për thellimin e partneritetit. Amerika kryeson një dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
Ndër vendet me të cilat Amerika ka dialog strategjik janë: Maqedonia e Veriut, Lituania, Mbretëria e Bashkuar, Rumania, Austria, Polonia, Sllovenia, Moldavia, Greqia, Lihtenshtajni, Katari, Omani, Bahreini, Egjipti, etj.
Për nevojën e dialogut strategjik mes Kosovës dhe SHBA-ve, Osmani diskutoi edhe në tetor të vitit 2024 me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Në takimin me Kasanof-in, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes reciprok, siç është fusha e mbrojtjes dhe ajo e sigurisë, pati njoftuar në atë kohë zyra e presidentes së Kosovës.
Verma u ndal në Kosovë, në kuadër të turit që po zhvillon në Ballkanin Perëndimor, ku qëndroi edhe në Shqipëri, ndërsa nesër do ta përfundojë me një ndalesë në Serbi, siç njoftoi zyrtarisht Departamenti amerikan i Shtetit. Në axhendë ka edhe takimet me komunitetin e biznesit e me përfaqësues të mediave në Prishtinë.
Vizita e tij po zhvillohet dhjetë ditë para se administrata Biden të përfundojë mandatin e presidenti i zgjedhur, Donald Trump të mund të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, për një mandat të dytë presidencial.