Aktualitet Politikë Rajoni

Zyrtari i lartë amerikan viziton Tiranën, Kosovën e Serbinë më 7-11 Janar!

Zëvendës Sekretari Amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, do të udhëtojë në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, nga datat 7-11 janar.

Lajmi konfirmohet edhe nga Ambasada Amerikane në vendin tonë, teksa i referohet njoftimit për shtyp të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Në Tiranë, Verma do të diskutojë përparimin demokratik të Shqipërisë, aftësitë mbrojtëse dhe thellimin e lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe do të falënderojë Qeverinë e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj aleatëve tanë afganë”, theksohet në njoftimin zyrtar.

Kurse në Kosovë, ai do të diskutojë ‘për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve’.

LEXO EDHE: Kurti: I hapur të bashkëpunoj me prokurorinë, dëshmoj në zyrën time! Do të bashkëpunoj me Trump

Verma gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.

Në Serbi, Zëvendës Sekretari do të theksojë partneritetin strategjik në rritje SHBA-Serbi për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Ai do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë.

“Ai gjithashtu do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato ndjekin integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal”, përfundon njoftimi.

LEXO EDHE: Basha: Pagat e pensionet problemet e shqiptarëve, jo të pandëshkuarit që luftojnë SPAK! Më 11 maj çelim kapitull të ri