Në Kosovë vijon procesi i hedhjes së votës për zgjedhjet parlamentare. Deri në orën 15:00 pjesëmarrja ishte mbi 27%. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se ky proces po zhvillohet i qetë. Pati njoftime për vonesa në hapjen e disa vendvotimeve, si dhe shqetësime për fshirjen e bojës nga gishti, por KQZ-ja nuk i ka adresuar si çështje.
Kandidatët për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së, shfrytëzuan të drejtën e votës dhe iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve, të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Votoi edhe Vjosa Osmani. Presidentja e Kosovës iu uroi suksese kandidatëve për kryeministër dhe vlerësoi ecurinë e procesit të votimit, si të rregullt. Osmani.
Në këto zgjedhje po marrin pjesë edhe serbët e veriut, ndonëse kishin bojkotuar votimet prej nëntorit 2022, kur partia Lista Serbe, dha dorëheqje nga institucionet e vendit. Një pjesë e serbëve që financohen nga Beogradi zyrtar u panë të votonin kolektivisht në një qendër votimi në Mitrovicën e Veriut.
Ndërsa në Kosovë po mbahen parlamentaret, pesë persona u ndaluan për veprën penale “Cënim i përcaktimit të lirë të votuesve”, siç bëri të ditur Prokurori i Shtetit. Po ashtu, njoftoi se ka angazhuar rreth 100 prokurorë e staf të sistemit të Prokurorisë, që të procedohet çdo parregullsi e mundshme në zgjedhje.
Zgjedhjet politike janë duke u monitoruar nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) dhe nga vëzhgues të angazhuar nga misioni i Bashkimit Europian në Kosovë. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.
Ndërkaq, dje votuan qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, në përfaqësitë diplomatike. Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 20 mijë e 324 votues të regjistruar, 73.56% e tyre votuan në konsullata dhe në ambasada të Kosovës. Zgjedhësit jashtë vendit mundën të votonin edhe përmes postës.
28 subjekte politike me mbi 1 mijë e 200 kandidatë po konkurrojnë për mbështetjen e votuesve, për një vend në parlamentin me 120 deputetë. Votimet në Kosovë pritet të përcaktojnë se kush do ta drejtojë vendin në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.