Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë, vijon votimi i diasporës në përfaqësitë diplomatike!

Vazhdon votimi i diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, që mbahen nesër. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, informoi se deri në orën 13:00 votuan rreth 7 mijë persona apo 36.89% e të regjistruarve. Sipas Elezit, deri më tani nuk ka ndonjë pengesë ose parregullsi që do të dëmtonte integritetin e zgjedhjeve.

Deri më 19:00 të mbrëmjes, sipas orës lokale, në përfaqësitë e ndryshme diplomatike, diaspora është thirrur të votojë për zgjedhjet e parakohshme politike në Kosovë. Për herë të parë, ky lloj votimi u mundësua në parlamentaret e 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa aplikohej vetëm përmes postës. Në dispozicion janë 40 vendvotime, që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete.

Më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike. Por, 42% e tyre nuk mjaftonin që kjo parti të vazhdonte të qeveriste e vetme.  Pas shumë muajve me Kuvend të bllokuar, 28 dhjetori, pra e nesërmja u vendos si data e zgjedhjeve të parakohshme.