Prej 07:00-ës së mëngjesit e deri më 19:00 të mbrëmjes, sipas orës lokale, në përfaqësitë e ndryshme diplomatike, diaspora po voton për zgjedhjet e parakohshme politike në Kosovë të ditës së nesërme. Për herë të parë, ky lloj votimi u mundësua në parlamentaret e 9 shkurtit të këtij viti, ndërsa mundësohej vetëm përmes postës.
Procesi i votimit po zhvillohet në 40 vendvotime, që u përkasin 16 ambasadave dhe 13 konsullatave të Kosovës në 18 shtete.
6 vendvotime në Gjermani, 3 në Zvicër, nga 2 në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Itali e Francë dhe nga 1 në Mbretërinë e Bashkuar, Belgjikë, Suedi, Austri, Norvegji, Slloveni, Danimarkë, Turqi, Kroaci, Holandë, Hungari e Çeki.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, tha se deri në orën 09:00 të mëngjesit votuan rreth 1 mijë persona apo 8.64% e të regjistruarve. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli dukshëm e para nga votat në përfaqësi diplomatike.
Por, gjithsej 42% e votave të fituara nga LVV-ja në ato zgjedhje nuk ishin të mjaftueshme që kjo parti të qeverisë e vetme, siç ka ndodhur prej 2021-shit. Pas shumë muajve me Kuvend të bllokuar e dështimit të dy mandatarëve për kryeministër për të siguruar vota të mjaftueshme për formimin e një qeverie të re, 28 dhjetori, pra e nesërmja u vendos si data e zgjedhjeve të parakohshme.
Për të votuar në përfaqësi diplomatike janë regjistruar gjithsej 19.187 votues, nga gjithsej mbi dy milion qytetarë me të drejtë. Të regjistruar për të votuar në këto zgjedhje, përfshirë përmes votimit me postë, nga diaspora janë mbi 77 mijë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ bëri të ditur se për votim do të vlejnë dokumentet identifikuese me afat të skaduar. Ndërkaq, ata që janë regjistruar për të votuar nga diaspora nuk do të mund që të votojnë fizikisht në Kosovë të dielën e nesërme, pasi emrat e tyre janë tërhequr nga listat votuese në vend.