Me qendrat e votimit të hapura prej orës 07:00 të mëngjesit, në Kosovë vijon procesi i hedhjes së votës për zgjedhjet parlamentare. Deri në orën 11:00 pjesëmarrja ishte 8.58%. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raportoi se ky proces po zhvillohet i qetë, pa incidente të mëdha.
Pati njoftime për vonesa në hapjen e disa vendvotimeve, si dhe shqetësime për fshirjen e bojës nga gishti, por KQZ-ja nuk i ka adresuar këto çështje, duke mos i kushtuar rëndësi. Katër kandidatët për kryeministër të Kosovës, ai aktual Albin Kurti, si edhe Bedri Hamza i PDK-së, Lumir Abdixhiku i LDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së, shfrytëzuan të drejtën e votës dhe iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve, të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Madje, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haradinaj, përsëriti apelin për dalje në zgjedhje:
Kjo është dita juaj, vendimi juaj për Kosovën, për përfaqësuesit tuaj në parlament, por edhe për ata që do të jenë qeverinë e ardhshme. Me votën e juaj, ju e drejtoni Kosovën, u shpreh Haradinaj në një konferencë të shkurtër për media.
Thirrje të ngjashme drejtoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani teksa veçoi rëndësinë e ditës së sotme.
Nga ana tjetër, Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare. Në një konferencë për media, ai tha se 9 shkurti është ditë e rëndësishme për demokracinë, duke theksuar se “mënyra më e mirë që zëri i qytetarëve të dëgjohet është përmes votimit”.
Besojmë që procesi zgjedhor do të zhvillohet siç duhet e të ecë pa asnjë problem.
Në këto zgjedhje po marrin pjesë edhe serbët e veriut, ndonëse kishin bojkotuar votimet prej nëntorit të vitit 2022, kur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë pati dhënë dorëheqje nga institucionet e vendit. Një pjesë e serbëve që financohen nga Beogradi zyrtar u panë të votonin kolektivisht në një qendër votimi në Mitrovicën e Veriut.
Zgjedhjet politike janë duke u monitoruar nga rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV) dhe nga vëzhgues të angazhuar nga misioni i Bashkimit Europian në Kosovë. Qendrat e votimit mbyllen në orën 19:00 të mbrëmjes.