Rreth dy milion qytetarë kanë të drejtë vote në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë më 7 qershor, të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike parashikojnë tre skenarë të mundshëm: përqendrim të pushtetit te Lëvizja Vetëvendosje, kompromis i detyruar politik, ose vazhdim i krizës me rrezik për zgjedhje të reja.
Paqëndrueshmëria institucionale, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë integrimin në BE, të kufizojë fondet dhe investimet, si dhe të dobësojë mbështetjen nga BE-ja dhe SHBA-të.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në garën e 7 qershorit marrin pjesë 22 parti politike dhe tri koalicione parazgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje hyn në zgjedhje në koalicion me tri subjekte të vogla – Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane – ndërsa tri partitë kryesore opozitare, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, garojnë të vetme.
E vetme garon edhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.
Pjesë e kësaj gare është edhe ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila i prin listës për deputetë të LDK-së, partisë ku ishte pjesë, para mandatit presidencial.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit votoi rreth 45% e elektoratit. Për organizimin e këtij procesi, qeveria në detyrë e Kosovës miratoi kërkesën e KQZ-së për ndarjen e rreth 10.9 milion eurove.
Për krahasim, zgjedhjet e dhjetorit kishin një buxhet të planifikuar prej 11.5 milion eurosh, ndërsa shpenzimet reale, sipas raporteve të KQZ-së, arritën në rreth 7.4 milion.
Edhe kësaj radhe, procesi monitorohet nga mijëra vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.