Lifestyle

Zhurma e bardhë, e zezë apo rozë? Cila ndihmon më shumë për gjumin dhe fokusin?

Në një botë gjithnjë e më të zhurmshme, tingujt e kontrolluar janë kthyer në një mjet të fuqishëm për të përmirësuar përqendrimin, gjumin dhe relaksin. Por jo të gjithë tingujt janë njësoj. Studime të fundit po bëjnë dallimin mes tri llojeve kryesore të tyre: zhurma e bardhë, e zezë dhe ajo rozë. Të gjitha duken si “shushurima” të vazhdueshme, por ndikimi i tyre në trurin tonë është shumë i ndryshëm.

Zhurma e bardhë përmban të gjitha frekuencat e zërit me intensitet të barabartë, si tingulli i një ventilatori apo televizori pa sinjal. Ajo mbulon zhurmat e mjedisit dhe ndihmon në bllokimin e shpërqendrimeve. Një studim i “Sleep Medicine Reviews” sugjeron se:

Kjo lloj zhurme mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e gjumit tek ata që vuajnë nga zgjimet e shpeshta.

Zhurma rozë ka më shumë energji në frekuencat e ulëta, duke u ndjerë më e butë për veshin si shiu që bie lehtë, gjethet që fërshëllejnë apo dallgët e detit. Një studim nga Northwestern University zbuloi se zhurma rozë përmirëson kujtesën gjatë gjumit dhe ndihmon trurin të kalojë më mirë në gjumë të thellë (fazën non-REM). Zhurma e zezë, ndonëse më pak e njohur, përfaqëson heshtjen totale ose një tingull pothuajse të padëgjueshëm që fokuson vëmendjen tek mungesa e zërit, ideale për meditim ose gjendje introspektive.

Po si të zgjedhësh tingullin e duhur?

Nëse je duke punuar në një ambient me zhurma sfondi (zyrë, kafene), zhurma e bardhë ndihmon më shumë në fokus. Për ata që vuajnë nga pagjumësia ose ndihen të stresuar, zhurma rozë është më e butë dhe më relaksuese. Në momente stresi të thellë ose meditimi, zhurma e zezë ose heshtja e kontrolluar mund të ndihmojë në rikthimin e qetësisë së brendshme. Me aplikacione si Noisli, Endel apo Rainy Mood, këto tinguj janë lehtësisht të aksesueshëm dhe gjithnjë e më të rekomanduar nga terapistët e shëndetit mendor.