Aktori i njohur Viktor Zhusti ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas publikimit të një fotografie me kreun e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Sipas tij, fotoja ishte realizuar vetëm për përdorim personal dhe me premtimin se nuk do të publikohej, por u përdor më pas për qëllime politike, duke e paraqitur padrejtësisht si mbështetës të kësaj force.
Pas reagimit të aktorit, ka ardhur edhe replika e Adriatik Lapajt, i cili mohon pretendimet e Zhustit dhe thotë se aktori kishte dhënë vetë miratimin për publikimin e fotos. “Meqë jeni shqetësuar kaq shumë, foton e heq unë, por ndërgjegjja juaj e di që e vërteta është ndryshe”, shkruan Lapaj, duke shtuar se reagimi i aktorit lidhet më shumë me frikën nga reagimet sesa me veprimet e tij.
Replika e Adriatik Lapaj:
I nderuar artist, në asnjë rrethanë nuk do të bëja replikë me ju, por ndihem më shumë se i habitur me atë që keni shkruar, të cilën ju e dini mirë se është e pavërtetë. Ndoshta fotoja me mua, “armikun e sistemit”, siç edhe vetë e thoni ju, ka shkaktuar shumë armiqësi, por ky nuk është faji im; nga sa duket, mbetet frika juaj.
Shumë dëshmitarë ishin aty dhe është e provueshme që unë ju thashë “s’po e postoj” dhe ju thatë “postoje pa problem”. Meqë jeni shqetësuar kaq shumë, foton e heq unë, “armiku i popullit”, por ndërgjegjja juaj e di që e vërteta është ndryshe. Mbiemrin unë e kam Lapaj.