Duket se projekti që lidhet me Bibliotekën e re Kombëtare, në këmbim të pronave te ish-vilat gjermane, nuk po arrin të zgjojë interes për bashkëpunim. Korporata e Investimeve Shqiptare njoftoi se procedura e shpallur në nënprojektin “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”, nën titullin e kontratës “Zhvillimi multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë” (ish-“vilat gjermane”) ka pasur interes të pamjaftueshëm për ta përfunduar me sukses.
Ky Njoftim ju komunikon vendimin e Korporatës për anulimin e procedurës konkurruese të nisur më 13 Mars 2025 për përzgjedhjen e një Partneri Privat për zbatimin e kontratës “Zhvillimi multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë (ish-“vilat gjermane”)”, si pjesë e Nën-projektit të Investimit “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”. Arsyeja për anulim është: numri i pamjaftueshëm i aplikimeve të dorëzuara për Fazën I të procedurës konkurruese brenda afatit për dorëzimin e aplikimeve të përcaktuar në Dokumentin e Kualifikimit.
Procedura për një Bibliotekë të re nën një model që po zhvillohet në disa projekte në vend, nisi në fillim të këtij viti pas transferimit të disa pronave te Korporata e Investimeve Shqiptare nga ana e Këshillit të Ministrave. Ajo do të zërë vend në disa prona në rrugën “Gramoz Pashko”, në afërsi të Qytetit Studenti, me një sipërfaqe trualli prej 27 mijë m2.
Thirrja e shpallur kërkonte që privatët e interesuar për të zhvilluar në partneritet këto prona shtetërore të dorëzonin projekte potenciale që do të kalonin në disa faza. Pronat e vënë në dispozicion janë në një zonë të Tiranës, e njohur si ish-Vilat Gjermane, ndërkohë që vendimi që transferonte tek Korporata këto prona parashikon disa nënprojekte të tilla si “Copëzat”, “Hospitality” dhe “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”.
Ky projekt investimi synon konceptimin dhe projektimin e një zhvillimi shumëfunksional në zonën e ish-‘Vilave gjermane’, një lokacion i rëndësishëm në kryeqytet, i njohur për urbanizimin dinamik dhe afërsinë me një numër destinacionesh dhe nyjesh kryesore në zonën urbane përreth tij, duke e kthyer në një qendër shumëfunksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonominë të qytetit të Tiranës.
Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit të pronave shtetërore në pronësi të saj dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik, që ka interes të zhvillojë pronën e tij dhe të përfitojë një bibliotekë bashkëkohore dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe ekzekutive dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit.