Aktualitet

Zjarri në Dukat, Shqipëria kërkon ndihmën e BE-së, aktivizon Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Ministri Vengu: Temperatura të larta ditët në vijim!

Për shkak të situatës problematike të zjarrit në Dukat të Vlorës, Shqipëria ka aktivizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile, duke kërkuan ndihmën e BE-së.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, pasi vizitoi në Spitalin e Vlorës tre zjarrfikësit që pësuan lëndime, të cilët fatmirësisht janë në gjendje të mirë.

Avionët zjarrfikës të BE-së në ndihmë të Shqipërisë pritet të mbërrijnë gjatë orëve në vijim.

Ministri ka paralajmëruar gjithashtu se temperaturat e larta do të arrijnë kulmin të enjten dhe të premten.

“Janë ditë që do të vijojnë të jenë të vështira përsa i përket luftës kundër zjarreve, sidomos në zonat malore dhe pyjore. Kemi mobilizuar Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile në mënyrë që në ditët në vijim dhe orët në vijim të kemi mbështetje dhe nga vendet partnere. Do jenë ditë me temperatura shumë të larta, me maksimumin të enjten dhe të premten, sipas parashikimeve të meteorologjisë ushtarake, ndaj në mbarë territorin jemi në gatishmëri të plotë. Do vijojmë në orët e mbrëmjes të bëjmë një raport situates përsa i përket dislokimit të të gjitha forcave këto ditët ku parashikohet piku i temperaturave të larta, të jemi në gatishmëri maksimale”, u shpreh ministri Vengu.

Zjarri në Dukat të Vlorës ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon seriozisht Parkun Kombëtar të Llogarasë.

Vatra, që u riaktivizua 2 ditë më parë, u shfaq fillimisht para rreth 10 ditësh dhe për shkak të terrenit të vështirë malorë, ndërhyrja e zjarrfikësve mbetet sfidë.

Për këtë arsye, është aktivizuar disa herë nga ajri helikopteri i ushtrisë.

Tre zjarrfikësit që mbetën të lënduar nga zjarri në malin e Dukatit, ndodhen në Spitalin e Vlorës në gjendje të stabilizuar.

Zjarrëfikësit Luan Kapaj, Andrea Lala dhe Dëfrim Bilali u vizituan nga afër edhe nga ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Ndërkohë, zjarrfikësi Luan Kapaj ka treguar momentet e para për gjendjen e krijuar. Ai ka treguar edhe se situata me zjarrin është e vështirë dhe duhet të merren për të mos avancuar drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

“Shërbimi zjarrfikës si çdo ditë mori detyrën për të ndërhyrë në situatën e zjarrit në malin e Dukatit, dhe me të shkuar atje, u shpërndanë forcat në drejtim të zjarrit për ta fikur. Në këtë moment zjarri po merrte përmasa dhe i lashë detyrë komandantit të grupit që të merrej me forcat dhe vetë u spostova në pjesën ku zjarri po merrte përmasa në drejtim të Llogarasë. Gjatë rrugës nuk u ndjeva mirë dhe kam kërkuar ndihmën e urgjencës mjekësore. Kolegët e tjerë kanë kërkuar ndihmë më vonë, nuk kanë qenë bashkë me mua, kanë kërkuar ndihmë më vonë. Për momentin jam i stabilizuar. Zjarri ka përmasa dhe po spostohet në drejtim të Llogarasë. Për mendimin tim, si specialist, rrezikon parku nëse nuk do merren masa. Të merren masa që zjarri mos përparojë mbi parkun por të ndërpritet atje ku është. Forca zjarrfikëse ishin 20 dhe rreth 30 forca të ushtrisë që po merren me izolimin e zjarrit për momentin. Terreni është shumë i vështirë, shumë i thepisur, për shkak të terrenit është e pamundur që zjarrin ta vendosësh në kontroll”, tha zjarrfikësi Luan Kapaj.