Situata është normalizuar sa i përket zjarrit të rënë dje në fshatrat Oshtimë dhe Kërkovë të Vlorës. Në mbrëmje, rreth orës 23:00, u arrit të vendoseshin nën kontroll vatrat, duke u shuar më pas totalisht.
Për disa orë, në këto zona, zjarrfikësit kanë qëndruar në gatishmëri për të parë vatrat e zjarrit që përbënin rrezik për t’u ndezur sërish. Prej flakëve mendohet se janë djegur në total rreth 35 hektarë toka bujqësore dhe ullishte të fshatit.
Fatmirësisht, kanë shpëtuar pa djegur pesë shtëpi në Oshtimë e dy banesa, si dhe një stan në Kërkovë.
Dëmet në ullishte dhe toka bujqësore janë të konsiderueshme. Pritet të dalin në terren edhe nga Shtabi i Emergjencave Civile, për të bërë të mundur evidentimin e këtyre dëmeve. Për më tepër, zjarrvënia dyshohet e qëllimshme dhe po hetohet për gjetjen e autorit apo autorëve të vënies së flakëve.