Që në orët e para të mëngjesit dronët Bayrakatar TB2 të Forca Ajrore kanë realizuar fluturime mbi 18 vatrat aktive për të vlerësuar nivelin e riskut.
“Ekuipazhet e helikopterëve te Forcës Ajrore dhe efektivët tanë në terren në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në territor, me përparësi në zonat e banuara”, shkruan Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Nga mali i Shpiragut, flakët zbritën mesditen e sotme në fshatin Paftal të Beratit. Fshati është i rrethuar nga flakët dhe mbështjellë nga tymi. Zjarrfikësit evakuuan banorët, por disa prej tyre refuzuan të linin banesat.
Pasditen e sotme është raportuar një vatër e fuqishme zjarri edhe në Parkun Kombëtar të Prespës në Pustec, qarku i Korçës. Flakët kanë përpirë sipërfaqe të mëdha me pyll, teksa forca të shumta nga institucione të ndryshme të emergjencave ndodhen në terren për t’i shuar.
Një tjetër vatër zjarri e rrezikshme ishte ajo në fshatin Markat të Konispolit, e cila u shua vetëm në orët e pasdites së sotme. Raportohet për një banesë të djegur, 10 kokë dele në një stan, pemëtari, vreshta dhe bimësi, ndërsa u urdhëruaa fillimisht edhe evakuimi i banorëve. Ndërsa në fshatin Kopaçëz të Delvinës, situata sot është më e qetë, por dëmet janë kolosale.