Mark Zuckerberg ka njoftuar një riorganizim të madh brenda Meta Platforms, duke formuar një njësi të re të përkushtuar për zhvillimin e “superinteligjencës” – sisteme të avancuara të IA-së që mund të kryejnë detyra në të njëjtin nivel ose më mirë se njerëzit.
Njësia e re do të quhet Meta Superintelligence Labs (MSL) dhe do të drejtohet nga Alexandr Wang, themeluesi i Scale AI, i cilësuar nga Zuckerberg si “themeluesi më mbresëlënës i brezit të tij”. Krahas tij do të jetë Nat Friedman, ish-CEO i GitHub, i cili do të udhëheqë produktet dhe kërkimin e aplikuar në fushën e IA-së.
Ndërsa përparimi në inteligjencën artificiale po ndodh me ritme marramendëse, vizioni ynë për superinteligjencën po bëhet realitet
-tha Zuckerberg në një memo të brendshme.
Njësia e re do të përfshijë ekipet ekzistuese si FAIR (Fundamental AI Research) dhe grupet që punojnë në modelet e mëdha gjuhësore, duke synuar të ndërtojë një gjeneratë të re modelesh revolucionare.
Meta ka rritur ndjeshëm investimet në sektorin e IA-së – përfshirë një investim prej 14.3 miliardë dollarësh në Scale AI, negociata me kompani si Perplexity AI, Runway AI, dhe synon blerjen e PlayAI, e cila zhvillon aplikacione zanore të IA-së. Këto lëvizje e çuan çmimin e aksioneve të Meta në një rekord historik prej 747.90 dollarësh.
Zuckerberg personalisht po rekruton emra të mëdhenj të industrisë, duke organizuar takime në rezidencat e tij në Palo Alto dhe Lake Tahoe, ku ofron paketa kompensimi prej dhjetëra milionë dollarësh, për të joshur studiues nga OpenAI, Anthropic dhe Google.
Ekipit të ri të MSL i janë bashkuar 11 figura të njohura të fushës, përfshirë ish-punonjës të DeepMind, Jack Rae dhe Pei Sun, studiues të OpenAI si Jiahui Yu, Shuchao Bi, Shengjia Zhao dhe Hongyu Ren, dhe Joel Pobar nga Anthropic – i cili rikthehet në Meta pas një dekade.
Me këtë strukturë të re, Meta pozicionohet fuqishëm në garën globale për zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndërsa Zuckerberg sinjalizon hyrjen në një epokë të re teknologjike.